Gjenden pas 6 ditësh trupat e pajetë të minatorëve kinezë

09/02/2017 00:00

Pas 6 ditë kërkimesh janë gjetur më në fund trupat e pajetë të 3 minatorëve kinezë, të cilët patën mbetur të bllokuar në nivelin e 21-të të minierës së Bulqizës, që prej ditës së shtunë të javës së kaluar, si pasojë e shpërthimit të gazit të hidrogjenit.

Burime nga miniera informojnë se mbrëmjen e së enjtes, specialistët e kërkim-shpëtimit të ardhur nga Tirana, të cilët u futën mbasdite në thellësinë e pusit, kanë pikasur 3 trupat e pajetë të minatorëve kinezë në nivelin 21, pikërisht ku dhe ka ndodhur aksidenti i shpërthimit të gazit.

Ndërkohë po punohet për nxjerrjen e inerteve dhe materialeve të shkaktuara nga shpërthimi i gazit, ndërsa më pas do të bëhet edhe nxjerrja e trupave të minatorëve. Në ambientet e minierës ka shkuar edhe grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit Rifat Kojku, teksa do të bëhet këqyrja e vendit të ngjarjes për gjetjen e shkaqeve të ngjarjes së ndodhur në minierë.

Operacionin e kanë asistuar edhe përfaqësues të Ambasadës së Kinës në Tiranë dhe të Ministrisë së Energjetikës.

Top Channel