Denoncimi i janarit të vitit 2016: Janë prishur provat

09/02/2017 00:00

Mbrëmjen e së enjtes, emisioni “Fiks Fare”, risolli për publikun këtë histori, e cila po mbahet “peng” nga Prokuroria e Elbasanit. I ati i viktimës, Sabri Tanushi “trokiti” për herë të parë në “Fiks Fare” në janar të vitit 2016.

Ai pretendonte se ishin fshehur provat e vendit të aksidentit në punë dhe se nuk ishte bërë ekspertiza. Ai kërkonte pension për fëmijët, pasi Qamili, në qershor të vitit 2015 kishte 21 ditë që po punonte te firma dhe i ishte premtuar sigurimi, teksa kishte punuar i pasiguruar.

Në atë kohë, familjarët pretendonin se ata nuk arrijnë të përfitojnë dëmshpërblimin për të rritur jetimët, pasi Prokuroria nuk kishte mbyllur ende hetimet. Askush nuk ishte marrë në përgjegjësi penale për këtë vdekje në punë, madje nuk janë gjetur as njolla gjaku në vendngjarje, sepse – sipas prokurorit, – kishte rënë shi dhe trupi ishte spostuar nga vendi ku kishte ndodhur ngjarja.

Një vit më parë, Sabri Tanushi u tha gazetarëve të “Fiksit” se trupi ishte zhvendosur nga vendi i ngjarjes dhe se djali i tij kishte plagë vetëm në kokë.

“Më është vrarë djali më 17 qershor (2015) në firmën e administratorit Xhevahir Aga në malin e Zavalinës. Duke ngarkuar lëndë drusore në makinë ka humbur jetën. Më pas e kanë marrë, e kanë çuar te një pemë e prerë, gjoja ishte vrarë nga druri. Kur shkon Policia Gjyqësore e Elbasanit nuk bën këqyrjen e vendit të ngjarjes. E marrin, e mbështjellin me plastmas dhe e hedhin në makinë, si njeri pa njeri”, thotë i ati i viktimës, Sabri Tanushi.

Ai kërkonte zhvarrim që të gjendet edhe shkaku i vdekjes. Në janar të vitit 2016 gazetarët pyetën prokurorin Neritan Hoxha në lidhje me këtë çështje.

“Nuk jam ‘Big Brother’ për të parë se çfarë ka ndodhur në pyll dhe nuk kam shkop magjik që të gjej vendngjarjen”, tha ai në atë kohë, ndërsa familja kishte shpresë së hetimet do të përfundonin dhe do gjendej shkaku i vdekjes.

Top Channel