“Çfarë pa kryeshërbëtorja?”

09/02/2017 00:00

Të marrësh kënaqësi nga vëzhgimi i situatave intime të personave të tjerë. Është kjo farsa e shkruar nga Xho Orton, ku përzihen tronditja, argëtimi e deri tek neveria në komedinë e zezë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, që vjen premierë për publikun shqiptar mbrëmjen e së shtunës.

Genci Fuga, Mehdi Malkaj, Rozi Kostani dhe të tjerë do ta ngjisin këtë pjesë në skenën e Teatrit Eksperimental, ku për herë të parë simfonia skenike do të dirigjohet nga tre regjisorë, si një politikë e drejtuesit të këtij institucioni për të mirëpritur brezin e ri.

“Ndodh shpesh që regjisorëve të rinj u hapen dyert për modë. Teatri Eksperimental e ka në politikën e vet që regjisorët e rinj të mund të bëjnë hapa përpara. Jam ndjerë shumë mirë me këta dy kolegë dhe do të jetë praktikë pune, në mënyrë që regjia të marrë vendin që i takon në teatër”, tha regjisori Kiço Londo.

“Unë personazhin tim e quaj me dhe pa fat sepse kishte një ditë të shënuar, kur mund të shtinte në dorë dikë, të tipit një sekretare. Në këtë ditë të veçantë, këtij i ndodhin thuajse të gjitha të zezat”, tregon aktori Genci Fuga.
Ndërsa aktori Gazmend Paja thotë: “Personazhi im është një personazh me goxha pushtet dhe këtë e shfaq drejt finalit, ku pjesa bëhet goxha emocionale. Ai ka interesin e tij në kufijtë e çmendurisë”.

“Çfarë pa kryeshërbëtorja”, që prej 11 shkurtit deri më 5 mars do të shfaqet për çdo fundjavë në Teatrin Eksperimental.

Top Channel