Durrës, zbulohen rrënojat e godinës së periudhës Otomane

07/02/2017 00:00

Themelet e një godine që dyshohet se i përket periudhës së pushtimt Otoman janë zbuluar nga arkeologët gjatë punimeve që po kryhen në sheshin para portit detar të Durrësit.

Sipas arkeologëve që po monitorojnë punimet, themelet mund t’i përkasin një godine të administratës së kohës, që paraprakisht nga gurët dhe mënyra e ndërtimit dyshohet se i përket fundit të viteve 1800.

Themelet e godinës janë gjetur pranë murit, pjesë e sistemit të fortifikimit të periudhës Bizantine, pranë Torrës Veneciane.

Gjatë punimeve është zbuluar edhe një top lufte, që i përket një periudhe pak më të vonshme dhe që sipas arkeologëve në terren, duket se është hedhur në këtë zonë dikur të mbuluar nga uji.

Por nuk përjashtohet që ky top të jetë pjesë e mbrojtjes së krijuar gjatë periudhës së rezistencës shqiptare ndaj pushtuesve.

Zbulimi më i fundit, që pritet të saktësohet në ditët në vazhdim për periudhën së cilës i përket, vazhdon të hedhë dritë mbi zhvillimin urbanistik të popullsisë së Durrësit që nga koha e romakëve deri te ribanimi në mesjetë dhe në shekujt pasues.

Punimet për rigjallërimin e këtij sheshi, me një vlerë prej 6 milionë euro, përfshirë dhe ndërtimin e velierës që synon të kthehet në një nga objektet simbol të qytetit, po ndiqen nga afër nga përfaqësues të autoriteteve arkeologjike dhe ato të kulturës kombëtare.

Top Channel