Nëse familja nuk është e shëndoshë, nuk mund të kemi një shoqëri të tillë. Mbi këtë parim, Aubrie Mangelson Mema, një amerikano-shqiptare me pasion për artin dhe vlerat e bërthamës së shoqërisë ngriti ekspozitën “Ngjyrat e familjes”, thirrjes së të cilës iu përgjigjën piktorë në zë si Bujar Zajmi, Natasha Bega, por edhe artistë të rinj, që sjellin në një konceptim të përbashkët kuadrosh këndvështrimin për familjen.

Tek Anila Zajmi, familja vjen me të gjithë komponentet të përkthyer në ngjyra.

“Anila Zajmi vjen me ngjyra shumë të bukura të peizazheve të kombinuara: e zeza me grinë, portokallia, e kuqja, pak diell, re, sepse brenda familjes ka gjithnjë kohë të mira dhe të këqija, por e rëndësishme është që ekzistenca e familjes , edukata, mësimi i parë që marrim për të dashur njëri-tjetrin, të tjerët, veten është familja si celula e kombit, sepse është ajo që krijon botën”, tha Nadire Buzo, organizatore.

Për dikë, familja është një sinfoni me ngjyra, për dikë tjetër që nuk është aq optimist, ylberi i ngjyrave i ka lënë vendin ngjyrës gri. Duket sikur piramida është përmbysur dhe ata që e shohin të ardhmen pa shumë shpresë janë të rinjtë.

“Sinqerisht, brezi i vjetër e sheh familjen me ngjyra, më optimist. Brezi i ri është pak i ndërthurur, e ka humbur si të thuash besimin e forcës së familjes. Por edhe midis të rinjve, që kanë ardhur me piktura mjaft të rëndësishme ka si Armand Xhika, që ka dërguar 5 piktura nga Anglia, e shoh që në tablotë e tij ka ngjyra optimiste”, tha më tej Buzo.

Përplasjen e brezave përmes ngjyrave në një ekspozitë, publiku mund ta kundrojë deri në datën 10 shkurt, në Muzeun Historik Kombëtar.

Top Channel