Në vijim të mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi 3 vendime për reformimin e plotë në këtë fushë. Sipas këtyve vendimeve, është Këshilli Kombëtar, si një organ kolegjial, ai që miraton tarifat e shpërblimit të autorëve, duke i dhënë fund abuzimeve.

Po sipas këtij vendimi do të rregullohen edhe procedurat e regjistrimit të autorësisë. Këshilltari ligjor në Ministrinë e Kulturës, në një intervistë për Top Channel sqaron se autorët kanë dy mundësi për të mbledhur të drejtën e tyre: ose përmes agjencive të licencuara nga shteti, ose të mbrojnë vet të drejtën e tyre dhe shpërblimet e rrjedhura prej saj.

“Mbrojtja e së drejtës së autorit është automatike, nuk kërkon regjistrim. Aktualisht kemi 4 agjenci të licencuara nga Ministria e Kulturës, të cilat kryejnë një funksion publik: mbledhjen dhe shpërndarjen e shpërblimeve që vijnë nga konsumimi në treg”, tha Edmond Ahmeti, këshilltar ligjor në Ministrinë e Kulturës.

Por si mund të përfitojë nga pronësia intelektuale një autor që jeton në Tropojë, Sarandë apo në çdo cep tjetër të Shqipërisë?

“Nëse ky autor që ju thoni është pjesë e agjencisë së muzikës, producentëve, interpretuesve apo filmit, këto 4 gjini kemi të mbrojtuara aktualisht me agjenci, ai ka dy mundësi: ose të autorizojë këto agjenci për të përfaqësuar veten e tij për të gjitha të drejtat ekonomike që do të vijnë nga shfrytëzimi në treg, ose të mbrojë të drejtat e veta në mënyrë individuale sikundër ia jep këtë mundësi ligji”, tha ai.

Ndërsa mbrojtja e së drejtës së autorit në postimet “online” mbetet ende një sfidë për Shqipërinë, kapërcimi i së cilës përfshin shumë aktorë.

“Kjo është një sfidë për ne, jemi të vetëdijshëm, për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë maksimale, duke qenë se është një sfidë ndërkombëtare dhe europiane. ‘Copyright’-i apo pirateria nuk është vetëm një problem i Ministrisë së Kulturës, por është problem i AMA-s, AKEP-it, i të gjithë operatorëve që shesin dhe janë ndërmjetës të produkteve të tyre në internet, pra është një fushë e gjerë veprimi, që kërkon një bashkëpunim dhe rregullim mbi palët, në mënyrë që ne të ecim mbi disa modele që janë të konsoliduara tashmë”, tha Ahmeti.

Top Channel