Vaclav Havel frymëzoi breza të tërë me krijimet e tij si disident. Në Qendrën për Hapje dhe Dialog i kushtohet një javë e plotë aktivitetit të tij si shkrimtar dhe politikan, ndërsa një rastësi e bukur në Teatrin Kombëtar, “Opera për tri groshë”, një adoptim i tij, është duke u vënë në skenë.

Në Tiranë ndodhet një prej miqve të tij më të afërt, dhe njëkohësisht drejtues i Bibliotekës “Havel” në Pragë, Michele Zantovsky.

“Ai u bë i famshëm jo vetëm në Çekosllovaki, por edhe në Europe dhe Amerikë në vitet ’60, me pjesët e tij. Më së shumti ato ishin komedi të absurdit, kryesisht mbi absursitetin e sistemit burokratik”, tha Michele Zantovsky, drejtor i Bibliotekës “Vaclav Havel”.

Në veprat dhe idetë e tij, shumë njerëz gjetën veten.

“Këto pjesë influencuan një gjeneratë të tërë spektatorësh. Patën një efekt të fortë lirie te njerëzit”, tha Michele Zantovsky.

Historia e tij është ajo e një njeriu që mundohet të ruajë ekuilibrin midis jetës personale dhe asaj politike, duke e sjellë kombin e tij nga e kaluara komuniste, në të ardhmen e lirë dhe demokratike.

“Një nga gjërat më të rëndësishme që Havel bëri ishte shoqëria civile. Shoqëria e qytetarëve aktivë, në çdo ditë të jetës së tyre. Ata që bëjnë diçka për të ruajtur lirinë e tyre dhe demokracinë e tyre”, tha Michele Zantovsky.

Pas aktivistit, presidentit, shkrimtarit dhe qytetarit Havel, fshihej një shembull për shoqëritë postkomuniste dhe jo vetëm.

“Ai nuk ishte i etur për pushtet. Ai nuk ishte i etur për pasuri. Ai nuk ishte egocentrik, si shumë poltikanë të tjerë. Ishte një njeri i thjeshtë dhe modest”, tha Michele Zantovsky.

Top Channel