Saimir Gongu është një ndër dy dramaturgët që është përzgjedhur në të shkuarën përtë sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë e zezë “Shtëpia pa dritare”, si dhe pjesmarrës i rregullt në Netët e Leximit të Dramës Shqip, të cilat kanë mbërritur në edicionin e tretë duke krijuar kështu një traditë.

Janë 38 autorë që kanë dorëzuar veprat e tyre në Teatrin Kombëtar, kjo shoqëruar me nga një regjisor përkatës, çka është risi për këtë edicion.

“Ky është proces pozitiv. Në fakt, çfarëdolloj pjese që të shkojë në çdo institucion, shkon zakonisht nga regjisori. Në njohurinë time i jep një garanci më shumë dramaturgut, të paktën atyre që nuk janë shumë afër teatrit”, thotë dramaturgu, Saimir Gongu.

Shpresa është që këtë vit të zgjidhen për t’u vënë në skenë tre deri në katër tekste të mira, të cilat do të vlerësohen në bazë të tekstit dhe garancisë regjisoriale.

E ndërsa pranë institucionit ndërkombëtar të Teatrit të paktën ka një derë për dramaturgët shqiptarë, sipas Gongut nuk është e njëjta situatë rëndom në skenat e tjera teatrore.

“Nga përvoja ime personale mund të them që unë kam gjetur gatishmëri absolute nga Teatri Kombëtar. Di që edhe një proces përzgjedhjeje dhe vënie në skenë të një dramaturgu të ri shqiptar është vënë në Teatrin Eksperimental këto ditë”, thotë ai.

Megjithatë, ende drama shqipe është në mungesë. Për këtë ngrihen pikëpyetjet nëse ka dramaturgë që krijojnë tekste të mira? A ka mbështetje financiare për ta apo sa po punohet që të krijohet një traditë në tekstin shqip, si i vetmi që është më afër realtetit tonë?

Top Channel