Shtutgarti “flet” shqip

16/01/2017 00:00

Në Shtutgart të Gjermanisë është kërcyer dhe kënduar shqip. Në Panairin ndërkombëtar të Turizmit, ku vendi ynë është prezantuar për herë të parë si partner, nuk kanë munguar surprizat, sponsorizuar nga INSIG, siç ishte vallja e Tropojës, interpretuar nga grupi folklorik i këtij qyteti, ku janë shpalosur më së miri vlerat artistike të Shqipërisë.

“Ky ishte një nga panairet më të rëndësishëm, ishim edhe në seminarin që u mbajt. Pas aktivitetit, gjermanët na u lëshuan dhe na kërkonin kartëvizitat, sepse nuk e njihnin Shqipërinë. Surprizë ishte kur doli grupi i valleve të Tropojës, sponsorizuar nga INSIG, aq sa vet mediet gjermane shkruan dhe e nxorën drejtpërdrejt këtë aktivitet për 20 minuta. Të gjithë të pranishmit u habitën dhe filluan të kërcejnë”, tha Kadri Morina, presidenti i kompanisë së sigurimeve “INSIG”.

Për presidentin e INSIG-ut, por edhe për ministren Ekonomi, kjo pjesëmarrje me vallen e Tropojës ishte promovimi më i mirë që mund t’i bëhej Shqipërisë dhe vlerave të saj.

“Është një promovim që Shqipërisë i bëhet në kohën dhe vendin e duhur. Në Gjermani, sepse ajo është udhëheqësja e Europës dhe e promovimit të turizmit në të gjithë vendin”, tha Morina.

Shqipëria është prezantuar në këtë panair, që do të zgjasë për 9 ditë, me vlerat dhe traditën si folklori, kulinaria apo punimet artizanale, prezantim që pritet të rrisë ndjeshëm edhe numrin e turistëve të huaj përgjatë vitit 2017.

Top Channel