Anida Take përcillet me këngë

13/01/2017 00:00

Vajza me trendafil në dorë u shua. Anida Take u nda nga jeta mbrëmjen e 12 janarit në moshën 83-vjeçare. Të afërm, miq e kolegë bënë homazhet për artisten e mirënjohur në hollin e Radio Tiranës.

Luan Zhegu, këngëtar: Ajo prap ka shkuar e lumtur sepse ka lënë pas një kantoautor të mrekullueshëm.

Agim Doci, shkrimtar: Sot shkon në parajsë dhe atje bashkë me të paharruarin Agim Prodani do të bëjnë atë që quhet muzika engjëllore dhe qiellore.

Këngëtarja e madhe spikati që në moshë të re për vokalin e saj të veçantë, atë zë të kadifenjtë që shoqëroi dhe frymëzoi breza artistësh.

Kozma Dushi, këngëtar: Këndonte me mjaft emocion dhe çdo këngë e saj linte një mesazh.

Ishin fillesat e saj në Estradën e Tiranës e më pas karriera e gjatë aty që i dha edhe të parin recital në historinë e skenave shqipe.

Sulejman Dibra, ish-drejtor i Estradës së Tiranës: Një recital i shkëlqyer, një mrekulli që u dha për vite të tëra me radhë në Tiranë.

Së bashku me të paharruarin Agim Prodani, ata krijuan jetën e tyre këngë.

Zhani Ciko, muzikant: Anida pati një karrierë që ashtu siç e nisi, me atë qetësinë e saj, atë zërin e saj dhe ashtu e mbylli. Nuk u mor vesh se kur u plak dhe kur u bë 80 vjeç Anida, sepse ajo ishte e njëjta.

Robert Radoja, kompozitor: Shpërblimin moral e ka më të madhin sot. Njerëz që e respektojnë. Kjo është kryesorja, sepse nuk kemi për të marrë gjë me vete.

E dekoruar me medajen e punës “Naim Frashëri”, urdhrin “Naim Frashëri i Artë” dhe trofeun “Mjeshtër i Punës”, ajo ngeli Anida artiste deri në fund dhe do të vijojë të kujtohet si artistja që u duartrokit fort në skenat shqiptare dhe të huaja.

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës: Është aq e madhe e Anida Takes dhe e brezit të artistëve të saj që mbajtën gjallë kulturën shqipe në ato vite të vështira, saqë është një vdekje që përcillet me buzëqeshje.

Rajmonda Bulku, aktore: Zëri i kësaj këngëtareje të mrekullueshme është një nga ato zëra që jetojnë në çdo kohë.

Top Channel