Vazhdojnë operacionet për pastrimin e rrugëve, probleme në akset rurale

11/01/2017 00:00

Në të gjithë vendin vijojnë kushtet e rënduara të motit me temperatura nën zero, të cilat kanë shkaktuar vështirësi sidomos në qarkullimin e automjeteve.

Strukturat e angazhuara me mirëmbajtjen e rrugëve, firmat e kontraktuara kanë vijuar punën e tyre për hapjen e rrugëve nacionale, të cilat qanë të qarkullueshme pa zinxhirë në pjesën dërrmuese te tyre.

Sidoqoftë, mbeten disa akse rurale ku qarkullimi është ende problematik. Sipas një njoftimi të Emergjencave Civile, situata në akset rrugore në të gjithë vendin deri në orën 19:0 të kësaj të mërkure ka qenë:

QARKU KUKËS
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë. Rruga e Kombit është e qarkullueshme pa zinxhirë por në segmente të caktuara duhet të bëhet kujdes si pasojë e ngricave. Po punohet me 4 mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli. Policia Rrugore po monitoron qarkullimin e automjeteve.

Akset Kukës- Has-Tropojë,  Tropojë-Qafë Morinë dhe Ura e Zapodit- Shishtavec janë të qarkullueshme me zinxhirë ndërsa akset Bajram Curri-Valbonë dhe Fushë Dukagjin-Qafë Shllak janë të  qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë

Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes është nisur për në Tropojë për të shpërndarë ndihma ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Materiale Shtetërore por për shkak të erës së fortë nuk ka mundur të ulet.

QARKU DIBËR
Aksi rrugor Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar. Po punohet me 2 fadroma për hapjen e tij. Aksi rrugor kombëtar, Qafë Bualli-Peshkopi, qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor.

Po punojnë 1 borëpasturese dhe 2 fadroma për mbajtjen të hapur të këtë rrugë. Aksi Peshkopi-Kala e Dodës Ura e Çerenecit-Steblevë dhe Peshkopi-Kala e Dodës janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU SHKODËR
1 helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes ka shkuar në zona të izoluara të Malësisë së Madhe dhe ka shpërndarë pako me ndihma ushqimore për familjet e izoluara.

Aksi rrugor Shkodër-Qafë Thore-Theth ,Shkodër- Bregu Lumit, Bardhet-Iballë dhe Bogë-Qafë Thore janë të bllokuara. Po punohet për hapjen e tyre. Akset rrugore Qaf Mali-Fierzë, Fush Arrëz-Qafë Shllak dhe Qafë Çelë-Pukë-Fushë Arrës janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU LEZHË
Në qarkun e Lezhës të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme normalisht.  Të bllokuara janë vetëm akset rrugore Bulshar-Nënshejt-Lajthizë dhe Reps-Gurth-Spaç.

Ditën e sotme 1 helikopter nga Ministria e Mbrojtjes është nisur në drejtim të fshatit Orosh të bashkisë Mirditë, me ndihma ushqimore por për shkak të erës së fortë nuk ka mundur të ulet.

QARKU ELBASAN
Aksi rrugor Librazhd-Stëblevë është i kalueshëm me zinxhirë. Të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme pa probleme.

QARKU KORÇË
Aksi rrugor Ersekë-Leskovik-Çarshovë, Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Dardhë janë të kalueshme me zinxhirë. Firmat kontraktore po punojnë me mjete dhe forca për të mbajtur të hapur të gjitha akset rrugore.

QARKU VLORË
Në Qafën e Muzinës qarkullimi i mjeteve kryhet pjesërisht me zinxhirë. Në Qafën e Llogarasë qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë por në pjesë të veçanta do kujdes nga drejtuesit e automjeteve sepse ka prezencë ngricash. Policia Rrugore po monitoron kalimin e automjeteve në këto segmente rrugore.

QARKU GJIROKASTËR
Reshjet e borës janë ndërprerë duke bërë që situata të normalizohet. Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme pa zinxhirë me përjashtim të aksit rrugor Përmet-Çarshovë i cili kryhet me zinxhirë në pjesë të veçanta. Akset rrugore që të çojnë në zonat rurale janë të kalueshme pjesërisht me zinxhirë.

QARKU BERAT
Sot paradite si rezultat i reshjeve të borës ka pasur vështirësi kalimi në aksin rrugor Poliçan-Çorovodë. Policia Rrugore ka monitoruar situatën dhe nuk ka lejuar qarkullimin e automjeteve të pa pajisura me zinxhirë. Aksi rrugor Potom-Skrapar i kalueshëm me zinxhirë ndërsa aksi rrugor Çorovodë-Gjerbës ka qenë i bllokuar, por është hapur.

Në fshatin Melck, Njësia Administrative Potom, bashkia Çorovodë, një shtetas është izoluar nga dëbora së bashku me 300 krerë bagëti të imta. Strukturat e EC jane nisur sapo kane marre njoftimin për t’i shkuar në ndihmë.

Ndërkohë, edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar furnizimi me ndihma i banorëve në vështirësi, të cilëve u janë shpërndarë pako me ushqime e veshmbathje.

Top Channel