Shëndetësia falas, Beqaj pranon: Shifrat ndryshojnë në 2016

11/01/2017 00:00

Shëndetësi falas, por vetëm nëpërmjet sistemit të referimit. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj shpjegon sa është arritur nga premitmi i bërë.

Të martën Top Channel publikoi shifrat që tregonin se ky premtim deri në 2015 rezulton i pambajtur. Edhe ministri Beqaj e pranon këtë.

“Shqipëria ka qenë vendi ku më shumë se gjysma e shpenzimeve për shëndetin janë nga paratë e njerëzve. INSTAT thotë, dhe ne do ta marrim të mirëqënë, se në vitin 2015 shqiptarët paguan nga buxhetet familjare 172 milionë euro për shëndetin”, deklaron Beqaj.

Por sipas ministrit, raporti i pagesës shtet-individ ndryshon dramatikisht në 2015.

“Ne ofrojmë shëndetësi falas, por sipas hallkave të sistemit të referimit. Nëse në vitin 2015 shpenzimet publike të shëndetësisë ishin 40 miliardë e 790 mln lekë, ato i bie të jenë 293 milionë euro. Nëse nga buxheti kemi 293 milionë euro dhe nga xhepi familjar 172, atëherë këto janë 465 milionë. Por nuk janë më gjysmë për gjysmë, por 37 për qind nga xhepi dhe 63% nga buxheti i shtetit”, thotë Beqaj.

Beqaj thotë se ndërkohë do të ketë një tjetër zbritje gjatë 2017-s.

“Qytetarët ende kanë një barrë jo të vogël me 37 për qindëshin, por ai do të zbutet këtë vit me 1.8 miliardë lekë në proteza ortopedike, që do t’i shpenzojmë ne, por që nga xhepi i tyre ishin 3 miliardë”, saktëson Beqaj.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, nga 2.3 milionë qytetarë që kanë përfituar nga rimbursimi i baranve, këtë vit do të përfitojnë 2.9 milionë, përfshirë edhe të pasiguruarit, por vetëm sipas sistemit të referimit.

Top Channel