Rusia mohon: Asnjë material seksual kundër Donald Trump

11/01/2017 00:00

“Rusia nuk grumbullon materiale kompromentuese për askënd. As për Donald Trump, as për rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane, Hillary Clinton”.

Me këto fjalë Kremlini zyrtar iu përgjigj pretendimit të disa mediave ndërkombëtare se Moska zotëron informacione kompromentuese me të cilat shantazhon Presidentin e zgjedhur.

Reagimi ka ardhur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Kremlini nuk zotëron materiale kompromentuese të Donald Trump. Ky raportim është fals dhe nuk përputhet me realitetin dhe është hiç më shumë se një trillim. Është një bllof total, një fabrikim absolut dhe i pakuptimtë”, tha Peskov.

Sipas raportimeve të disa mediave të zëshme në SHBA dhe Britani, Rusia zotëron pamje me pullë të kuqe, ku Donald Trump është protagonist në “akte seksuale perverse” me prostituta.

Raportohet se materialet janë të siguruara nga një ish-agjent britanik dhe janë regjistruar në dhomën e një hoteli në Moskë.

Të gjitha këto raportime u hodhën poshtë më parë edhe nga vetë Presidenti i zgjedhur amerikan.

Top Channel