Norvegjia është i pari vend në botë që fillon mbylljen e sinjaleve analoge të radios. Vendi nordik nis kështu ndërprerjen e sinjalit “FM” në orën 11:11, sipas orës lokale, të mërkurën, për t’ia lënë vendin transmetimeve audiodixhitale.

Sinjalet numerike kanë një cilësi më të mirë se ato analoge dhe rreth një të tetën e kostos të tyre. Por ka edhe nga ata, që janë të shqetësuar për pasojat që ky ndryshim do të ketë te të moshuarit, apo drejtuesit e mjeteve.

Sipas një sondazhi të zhvilluar në dhjetor, dy të tretat e norvegjezëve mendojnë se qeveria po vepron shumë shpejt. Në përfundim të procesit, rrjetet kombëtare do të jenë të disponueshme vetëm në transmetime numerike, ndërsa stacionet lokale do të kenë 5 vite kohë për të bërë kalimin.

Pavarësisht se rreth 70 për qind e dëgjuesve në Norvegji përdorin aparatura dixhitale për të dëgjuar stacionet e tyre të preferuara, kritikët thonë se shumë njerëz do të detyrohen të bëjnë shpenzime të konsiderueshme, nëse do të duan të vazhdojnë të dëgjojnë radio.

Një radio e re makine, për shembull, kushton në Norvegji afro 500 dollarë. “Norvegjia nuk është e përgatitur për këtë. Ka miliona radio në shtëpi, apartamente dhe barka, që nuk do të punojnë më dhe vetëm 25 për qind e makinave në vend kanë radio dixhitale apo adaptues”, thonë kritikët.

Sidoqoftë, zyrtarët janë të vendosur ta bëjnë këtë ndryshim, ndërkohë që vende si Zvicra dhe Britania, që po shqyrtojnë mundësinë e kalimit te rrjetet dixhitale, pa dyshim do të ndjekin me kureshtje çfarë do të ndodhë muajt e ardhshëm.

Top Channel