Grabitësi me pistoletë lodër

11/01/2017 00:00

Policia e Tiranës është vënë në ndjekje të një adoleshenti, i cili ia doli të grabisë një farmaci vetëm me një pistoletë lodër, mbrëmjen e së martës.

Kamerat e sgurisë së një biznesi kanë fiksuar momentin kur i riu i maskuar me shall dhe kapuç, largohet me biçikletë pasi rrëmbeu 8 mijë lekë.

Sipas policisë grabitja në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet u krye brenda pak sekondash, por kamerat e sigurisë tregojnë se agresori kishte studiuar për rreth 30 minuta vendin dhe më pas është futur në biznes.

Uniformat blu dyshojnë se ai ka përdorur një pistoletë çakmak, por që i shërbeu aq sa për të trembur farmacisten dhe për të marrë paratë.

Kohët e fundit në Tiranë shtë shtuar numri i krimit të rrugës. Në harkun kohor të një muaji në Tiranë kanë ndodhur tre grabitje me maska ndërsa vetëm në një rast është arrestuar autori.

Një bankë ra pre e dy grabitësve të maskuar në zonën e njohur si “21 Dhjetori”, ndërsa më 30 dhjetor, Ilir Lelo grabiti një kazino në afërsi të “Don Boskos”, por u arrestua në tentativën e dytë pranë Prokurorisë së Tiranës. 

Në kërkim mbetet adoleshenti i farmacisë, i cili dyshohet të jetë përfshirë në ngjarje të ngjashme të grabitjes së sasive të vogla të parave në dyqane të ndryshme.

Top Channel