Dy viktima nga moti i ftohtë, rastet në Pogradec dhe Durrës

11/01/2017 00:00

Të tjera viktima si pasojë e të ftohtit janë shënuar këtë të mërkurë. Një 38-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në qytetin e Pogradecit, me vdekjen që dyshohet të ketë ardhur nga shkaqe natyrale.

Ngjarja është regjistruar në lagjen numër 4 të qytetit, ku Anastas Shuka, i cili jetonte i vetëm është gjetur i pajetë nga disa të afërm.

Sipas të dhënave, 38-vjeçari Shuka vuante nga skicofrenia dhe jetonte i vetëm pas vdekjes së dy prindërve të tij, ndërsa në dhomën ku është gjetur i pajetë mungonte ngrohja, çka ka forcuar dyshimin se vdekja e tij mund të ketë ardhur si pasojë e të ftohtit.

Pas ekspertizës së vendit të ngjarjes, burime të policisë kanë konfirmuar se vdekja e 38-vjeçarit është natyrale nisur dhe nga fakti se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.

Ndërkohë, një tjetër viktimë është verifikuar po këtë të martë në Durrës. Bëhet fjalë për një grua që është gjetur e pajetë, edhe ajo në banesën e saj.

Ajo është identifikuar si shtetasja Shpresa Muça, 68 vjeç. Sipas fqinjëve të saj, ajo jetonte vetëm dhe vuante nga një sëmundje kronike.

Top Channel