Gjendja e rrugëve në vend, sipas Ministrisë së Transportit, është përmirësuar në krahasim me një ditë më parë.

Në Tiranë, në akset e Dajtit mund të qarkullohet pa zinxhirë, përveç segmentit Qafë Priskë – Qafë Mollë, ku po punohet intensivisht edhe për shkak të numrit të madh të qendrave të banuara në këtë zonë.

Në Durrës, në Qafë-Shtamë dhe Sarisalltik, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në aksin Elbasan – Qafë Thanë është bërë pastrimi i rrugës dhe është hedhur kripë, për shkak të pranisë së ngricave, ndërsa dalja e Tunelit – Elbasan nuk ka probleme për qarkullimin.

Sipas Ministrisë së Transportit, situata është normalizuar në Berat, Vlorë, Gjirokastër dhe Fier. Në Korçë kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve vijojnë punën për pastrimin e rrugëve të ngrira për shkak të temperaturave deri në minus 16 gradë.

Në Lezhë qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë në segmentet Shpal – Reps dhe Rubik – Rrëshen. Në Kukës, qarkullimi kryhet po ashtu me zinxhirë në disa akse, kurse në Tunelin e Kalimashit, aksi është i hapur dhe qarkullohet pa zinxhirë. Në Dibër dhe në Shkodër mjetet borëpastruese vijojnë punën për pastrimin e rrugëve.

Top Channel