Kosovë, 9 vite nga koalicioni i parë PDK-LDK

09/01/2017 00:00

Më 9 janar të vitit 2008 është formuar koalicioni i parë qeveritar mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, me kryeministër Hashim Thaçin. Qeveria e atëhershme përbëhej nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 17 ministra.

Qeveria u formua pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, ku PDK-ja fitoi 34% të votave, LDK-ja 23%, Aleanca Kosova e Re 12%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë me nga 10%, Partia Reformiste Ora 4% dhe Partia e Drejtësisë (PD) 2%. 13 partitë minoritare fituan gjithsej 5% të votave.

Qeveria e asaj kohe ishte fokusuar në pavarësinë dhe Kushtetutën, kurse partitë politike respektuan përkushtimin e tyre për të mbetur të bashkuara në periudhën mes deklaratës së Pavarësisë dhe futjes në fuqi të Kushtetutës. Vëmendja e tyre filloi të zhvendosej në prill, kur Qeveria prezantoi strategjinë për 2008-2011. Partitë politikë opozitare kishin qëndrime më kritike ndaj qeverisë.

Në prill, kryeministri prezantoi para Kuvendit raportin për 100 ditët e para dhe programin e Qeverisë për 2008-2011, kurse në korrik të 2008-s, nisi lëshimi i pasaportave të Kosovës. Në shtator, presidenti dhe kryeministri u pajtuan të caktonin 10 përfaqësuesit e parë diplomatikë në disa prej vendeve që e kishin njohur deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas raportit të progresit për vitin 2008, qeverisja lokale ishte forcuar deri diku. Në qershor ishte futur në fuqi legjislacioni i ri për kufijtë administrativë komunalë, vetëqeverisjen dhe financat lokale qeveritare dhe decentralizimin. Përparimi i reformës për vetëqeverisje dhe rritja e kapacitetit administrativ për të lehtësuar decentralizimin ishin prioritetet kryesore në Partneritetin Europian për Kosovën.

Në qershor, Qeveria vendosi të zgjeronte mandatin e kryetarëve në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok, Shtërpcë, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të UNMIK-ut për të mos i quajtur të vlefshme rezultatet e zgjedhjeve lokale serbe të mbajtura në maj të vitit 2008 në Kosovë.

Më 17 shkurt 2008, ligjvënësit e Kosovës do të kryenin një akt historik me një rëndësi të madhe jetike për fatet e vendit; nënshkruan dhe miratuan solemnisht Deklaratën e Pavarësisë. Kjo datë shënon padyshim një nga ditët më me vlerë në historinë e shtetit.

Top Channel