Haradinaj mund të lirohet të enjten. Me kusht derisa të vijë kërkesa për ekstradim

09/01/2017 00:00

Avokati i ish-kryeministrit të Kosovës dhe njëkohësisht udhëheqës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ky i fundit mund të lirohet me kusht gjatë ditës së enjte, ditë në të cilën është caktuar të zhvillohet seancë gjyqësore ndaj tij.

Sipas Arianit Koçit, lirimi me kusht i Haradinajt nënkupton që ai të jetë i lirë në Francë, por jo të kthehet në Kosovë pa dhënë vendimin përfundimtar Gjykata e Apelit në Colmar.

“Haradinaj pritet të lirohet me kusht të enjten e kësaj jave, ditën kur do të mbahet seanca gjyqësore ndaj tij”, ka thënë Koçi.

Ndërkohë, burime ndërkombëtare të “Gazetës Blic” bëjnë të ditur se Haradinaj mund të qëndrojë në liri me kusht për shkak të afatit rreth kompletimit të dokumenteve për ekstradimin e tij nga ana e Serbisë, afat prej 18-40 ditësh.

“Serbia është duke përgatitur dokumentet e ekstradimit të tij dhe deri kur t’i paraqesë ato, ai do të jetë në liri. Pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve nga ana e Serbisë, Haradinaj do të dalë sërish para gjykatës, në pritje të vendimit përfundimtar për të”, thonë burime të gazetës.

Ramush Haradinaj u ndalua të mërkurën e 4 janarit në Aeroportin e Bazelit nga autoritetet franceze, pas një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

Top Channel