Arrestimi i Haradinajt, eksperti gjerman: Akuzat e vjetra, jo më të vlefshme

09/01/2017 00:00

Eksperti gjerman Christian Tomuschat mendon se akuzat e vjetra ndaj Ramush Haradinajt, të shpallur dy herë të pafajshëm nga Haga, nuk bëhen dot më shkak për arrestimin e tij.

Profesori Tomuschat i tha “Deutsche Welle”-s se është e pakuptimtë për të, që Serbia vazhdon të kërkojë ekstradimin e një njeriu të shfajësuar nga Haga. “Ka një rregullore të qartë në statutin e kësaj gjykate – thotë ai, – neni 10, ku ndalohet dënimi i dyfishtë. Pra, askush nuk mund të ndiqet penalisht për të dytën herë nga autoritetet e drejtësisë së një vendi, për një vepër penale që është trajtuar njëherë, në këtë rast në proceset gjyqësore të Hagës”.

“Ky është një nen, të cilin francezët duhet ta njohin”, thekson eksperti. Gjasat janë që të pretendohet se bëhet fjalë për vepra të tjera penale, pra jo ato të trajtuara në proceset e mëhershme gjyqësore.

“Por them se mund të bëhet fjalë për një lloj përpjekjeje manipuluese, mund të pretendohet që tani bëhet fjalë për vepra të reja penale, me një sfond tjetër. Edhe në qoftë kështu, – vazhdon komenti, – edhe nëse dalin prova të reja lidhur me vepra për të cilat është marrë njëherë vendimi gjyqësor, kjo nuk e ndryshon dot ndalimin e rrëzimit të dyfishtë. Është parim bazë i shtetit ligjor, që askush nuk del dy herë para gjyqit për të njëjtën vepër penale”.

Sipas medieve në Kosovë, kreu i AAK-së mund të lirohet me kusht të enjten, kur është caktuar të mbahet dhe seanca e tij gjyqësore. Një vendim i tillë do t’i mundësonte atij lirinë në Francë, por nuk i lejon kthimin në Kosovë.

Top Channel