Ngricë në koalicion? Vit i ri, avaz i vjetër mes PS dhe LSI

07/01/2017 00:00

Lirimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze dhe mospërsëritja e praktikave të tilla nga vendet e BE-së është e vetmja pikë ku Lëvizja Socialiste për Integrim bie dakord plotësisht me qeverinë këtë vit.

Megjithëse 2017 sapo ka filluar, mes dy aleatëve ka patur shkëndija, që paralajmërojnë se marrëdhënia do të ketë ulje-ngritje të forta në muajt para zgjedhjeve.

Petrit Vasili sfidoi indirekt Edi Ramen ditën e ndërrimit të viteve duke deklaruar votat e LSI-së për mbylljen e lojrave të fatit, një çështje për të cilën Rama tha se nuk kishte mazhorancë.

Sërish, Petrit Vasili, pasi mori pjesë në koncertin e Ansamblit Filarmonik Vjenez ishte kritik për shpenzimet e mëdha, që sipas tij do të ishte më mirë të investoheshin për artistët shqiptarë.

Socialistët kthyen reston me fillimin e dëborës, për mënyrën sesi po menaxhohet situata nga kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, një dikaster që drejtohet nga LSI-ja, një çështje për të cilën deputeti socialist Pjerin Ndreu dhe zëdhënësi i Ilir Metës shkëmbyen replika në rrjetet sociale.

Të tilla ka patur edhe më herët për reformën zgjedhore, kur Taulant Balla nuk ia pranoi LSI-së rolin e arbitrit, që sipas tij kërkoi të luante Luan Rama.

Por pavarësisht shkëndijave mes dy aleatëve, Edi Rama, që ka siguruar një aleancë edhe me PDIU-në, nuk beson se kjo është një linjë që do ta çojë Ilir Metën jashtë koalicionit.

“Aspektet taktike janë të mirëkuptueshme. Për ne nuk ka një nevojë taktike që të bëjmë sikur nuk duam, sikur ta shikojmë, sikur të presim, etj. Për LSI është kjo nevojë taktike, e respektueshme”, tha Rama një ditë para ndërrimit të viteve.

Ndoshta edhe taktikisht, Ilir Meta zgjodhi të replikonte me Ramën kryeministër me një Ramë nga partia e tij. “Nuk kemi asnjë arsye taktike, por vetëm prioritete strategjike dhe prioriteti ynë është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha të njëjtën ditë Luan Rama, nënkryetar i LSI.

Për integrimin nuk do të ketë asgjë të re deri në prill, kur skadon edhe marrëveshja e LSI-së me Partinë Socialiste, si dhe afati për regjistrimin e koalicioneve. Kohë të cilën LSI-ja, mesa duket, do ta shfrytëzojë të gjithën.

“Nuk ka ndonjë urgjencë kjo punë, që o burra ç’do bëjmë tani e ç’do bëjmë pastaj. Sigurisht që ka nevojë për një analizë të thellë, por kur të afrojë data”, tha ministri Ylli Manjani në një intervistë televizive.

E vetmja herë kur LSI-ja bashkoi seriozisht votat me Partinë Demkratike ishte rrëzimi i buxhetit për Bashkinë e Durrësit në fund të vitit.

Ilir Meta foli vetëm një herë për mundësinë e kolaicionit me Partinë Demokratike, por zgjodhi ta bëjë në një program ku seriozisht merret vetëm shakaja.

“Unë vështirë të ndahem nga doktori, kështu që vështirë të jetë ankuar për mua”, tha Meta në spektaklin “Portokalli”.

Top Channel