Kongresmeni Engel: Franca duhet ta lirojë Haradinajn

07/01/2017 00:00

Kongresmeni amerikan Eliot Engel e cilëson të papranueshëm ndalimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Engel deklaroi se Franca duhet ta lirojë ish-kreun e UÇK-së sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa Serbisë i bëri thirrje që të mos abuzojë me Interpolin.

Kjo situatë nuk ka të bëjë aspak me sundimin e ligjit apo drejtësinë, arsyeton kongresmeni. Gjykatat ndërkombëtare e kanë liruar Haradinajn dy herë, çka duhet të jetë e mjaftueshme për të dëshmuar se çdo akuzë tjetër tashmë nuk ka asnjë vlerë. Ky veprim, në këndvështrimin e Engelit, nxit tensionet dhe rrit gjasat e konfliktit në të ardhmen.

Kongresmeni, mik i shqiptarëve, kujton sesi kapitulli 35 i procesit të pranimit në BE i tregon Serbisë që duhet të veprojë në të mirën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Abuzimi prej saj me Interpolin do të përbënte shkelje themelore e këtij angazhimi dhe BE-ja nuk duhet ta përparojë hyrjen e Serbisë, nëse nuk kthehet në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, shprehet Engel.

Edhe Lëvizja Besa e konsideron të padrejtë aktin e ndalimit të ish-kryeministrit kosovar nga organet e rendit në Francë, në një kohë kur Gjykata e Hagës e ka liruar nga çdo akuzë. Ajo i bën apel shtetit të Francës, por edhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtarë të ndërhyjë në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut dhe lirisë për lëvizje të lirë, në mënyrë që të ndërpritet keqtrajtimi i mëtejshëm i Haradinajt.

Një protestë është organizuar në Kolmar nga shqiptarët që jetojnë në Francë. Pjesëmarrësit kanë ftuar t’iu bashkohen edhe shqiptarët e ndodhur në Zvicër e Gjermani si dhe vende të tjera të Europës. Qëllimi i tubimit është kërkesa për lirimin sa më të shpejtë të Haradinajt dhe hedhja poshtë e të gjitha fletë-arresteve që vijnë nga Beogradi.

Top Channel