Kosovë, ngrihet akuzë për krime lufte ndaj një serbi

06/01/2017 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur këtë të premte aktakuzë kundër shtetasit serb B.S., për veprime që pretendohet se janë kryer në Fushë Kosovë, në datën 26 mars 1999 ose rreth saj.

“I pandehuri akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, siç parashikohet dhe dënohet në bazë të neneve 22 dhe 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LPRSFJ), aktualisht të ndëshkueshme në bazë të neneve 31 dhe 152 të Kodit Penal të Kosovës, në shkelje të nenit 3 të përbashkët për 4 Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949, dhe në shkelje të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit shtesë II të datës 8 qershor 1977 të Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha këto rregulla të së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së konfliktit të armatosur të brendshëm në Kosovë dhe gjatë të gjithë periudhës përkatëse”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Prokuroria Speciale.

Kjo aktakuzë është ngritur nga prokurori, pas ekstradimit të të pandehurit nga Bosnje-Hercegovina rreth një muaj më parë. Nëse ai shpallet fajtor, rrezikon dënimin nga 5 vite heqje lirie deri në burgim të përjetshëm.

Rreth 10 mijë njerëz humbën jetën, ndërsa 1.700 të tjerë vijojnë të rezultojnë të zhdukur nga lufta e Kosovës për çlirim nga Serbia. Kosova shpalli pavarësinë e mbështetur nga Perëndimi në vitin 2008, por Serbia vijon të mos e njohë atë, sikurse edhe disa shtete anëtare të BE-së.

Top Channel