Haradinaj, në paraburgim deri në mbërritjen e kërkesës për ekstradim

05/01/2017 00:00

Gjykata e Apelit në Colmar të Francës vendosi këtë të enjte lënien në paraburgim të ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, në pritje të marrjes së kërkesës formale për ekstradim për krime lufte nga Serbia.

Lajmi bëhet i ditur nga “Le Figaro”, e cila citon deklaratën e prokurorit të përgjithshëm francez.

Menjëherë pasi të mbërrijë kërkesa për ekstradim nga Serbia, Gjykata e Apelit të Colmarit do të vendosë mbi ligjshmërinë e kërkesës nga Beogradi, siç thekson prokurori.

Haradinaj u arrestua një ditë më parë në Aeroportin e Basel-Mulhouse-Freiburg, nga policia kufitare, vetëm pak pasi zbriti nga një udhëtim të nisur nga Prishtina.

Kosova e denoncoi arrestimin e kreut të AAK-së si të paligjshëm dhe të pakuptueshëm, ndërsa kërkoi nga Bashkimi Europian që t’i bënte presion Serbisë të tërhiqte urdhërarrestet e vjetëruara ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Sipas burimeve të Sigurisë në Prishtinë, ekzistojnë rreth 20 fletarreste ndërkombëtare të Serbisë në emër të shtetasve kosovarë, shumica pjesëtarë të UÇK-së. Në anën tjetër, autoritetet kosovare të Drejtësisë kanë shpallur në kërkim 57 serbë, të dyshuar për krime lufte në Kosovë gjatë viteve ’98-’99. Kërkesat për arrestim ndërkombëtar të tyre janë lëshuar me vendim të gjyqtarëve të procedurës paraprake të EULEX-it dhe gjyqtarëve kosovarë.

Top Channel