Arrestimi i Haradinajt, avokati: Lirohet sot; Serbia kërkon ekstradimin

05/01/2017 00:00

Përmes Facebook-ut, avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koçi sqaron se kreu i AAK-së do të paraqitet gjatë ditës së enjte në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, të Gjykatës së Apelit në Kolmar.

Dhoma hetimore e kësaj gjykate do të shqyrtojë kërkesën e Serbisë për ekstradim. Koçi shkruan se Franca është një prej vendeve që e ka mbështetur më fort Kosovën në rrugën drejt lirisë dhe i njeh shumë mirë rrethanat gjatë dhe pas luftës në Kosov?.

Për këtë arsye, avokati shpreh bindjen se pretendimet e Beogradit do të rrëzohen dhe Haradinaj do të lihet i lirë brenda ditës.

Në Serbi, ndërkohë, shpresat janë që Franca të veprojë sipas praktikës ndërkombëtare. Kryeministri Aleksandar Vuçiç deklaroi se prokurorët serbë kanë një sërë provash dhe elementësh inkriminues ndaj Haradinajt dhe se ai do të dëshironte që Franca, si vend serioz ku sundon shteti ligjor nuk do të veprojë mbi linjat e pozicioneve politike, të atyre të drejtësisë.

Nëse nuk ndodh kështu, shtoi shefi i qeverisë serbe, atëherë do të ngrihet pyetja sesi do të reagonte Beogradi në një situatë të ngjashme. Ta lënë të ikë edhe një herë e pastaj le të vijnë këtu e të më mbajnë leksione mbi kapitujt 23 dhe 24 të bisedimeve të anëtarësimit dhe parimeve të shtetit ligjor”, ishte komenti i Vuçiç.

“Por nëse diskutohet për reciprocitet, as Kosova nuk mbetet prapa. Edhe ne duhet të aplikojmë masa ndaj Serbisë në lidhje me fletë-arrestet që ajo po mban në fuqi”, u shpreh ministrja për Dialog Edita Tahiri në një prononcim për “Radion Europa e Lirë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u ndalua të mërkurën nga policia në pjesën franceze të aeroportit Basel-Mulhouse, i hapur në vitin 1946, për të shërbyer në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës e Gjermanisë.

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj prangoset në bazë të një urdhërarresti serb. Qershorin e 2015-s, ai u arrestua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, ndërsa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin. Kreu i AAK-së është shpallur dy herë i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel