“La Traviata” me videoprojektor

16/12/2016 15:50

Një nga operat më të famshme të Verdit, “La Traviata” do të vijë premierë për publikun mbrëmjen e së shtunës si një produksion tërësisht ndryshe nga “Traviatat” e derimëtanishme.

Krahas risive në kostumet e kuruara nga Ardi Asllani, “La Traviata” vjen me një koncept regjisorial të ri, ku në skenografinë moderne nuk mungon edhe videoprojektori.

Regjisorja Magdalena Fuchsberger, u shpreh: “Është një nga kryeveprat botërore. Traviata është një opera pa kohë sepse emocionet, pasioni i mrekullueshëm i historisë së saj është i tillë. Iluzioni dhe imagjinata e kësaj opere nuk ndryshon as në ditët tona sepse ne kemi të njëjtat emocione dhe iluzione për dashurinë njësoj si edhe 200 apo 300 vite më parë. Jam fokusuar shumë tek psikologjia e karaktereve. Jam përpjekur që të bëj lidhjen mes karaktereve për të treguar historinë me sa më shumë emocione dhe në mënyrë pasionante”.

Shpirti dhe ëndrra e Violetës nuk vjen vetëm me zërin e solistëve të operës, por edhe me lëvizjet e balerinëve Enada Hoxha e Gerd Vaso.

“Për ne të dy ishte kënaqësi pasi Traviatën e duam fort dhe që e kemi krijuar edhe si balet. Por, e sjellë si një risi nga Magdalena, për ne ishte frymëzim”, thotë Enada Hoxha.

Dashuria e pamundur e kurtizanes Violetë dhe Alfredos do të ngjisë në skenë Eva Golemin, Armaldo Kllogjerin, Ylber Gjinin e shumë interpretë të tjerë prej së shtunës deri të martën në TKOB.

Top Channel