Ekspozita ndërkombëtare “Onufri” ka mbërritur në edicionin e 22-të të saj. Këtë vit, kuratori ka zgjedhur figurën e shkrimtarit Mitrush Kuteli, për të personifikuar artistët pjesëmarrës.

Janë 43 artistë, të cilët Fani Zguro i ka zgjedhur duke hequr vija paralele mes talentit të tyre të panjohur dhe harresës së një shkrimtari si Kuteli.

“Për mua, Mitrush Kuteli ka qenë një shkrimtar jashtëzakonisht i madh, më pëlqen shumë. Ka pasur një histori disi në hije, të vështirë. Është persekutuar, është harruar, ndaj kjo është lidhja mes emrit të tij dhe përzgjedhjes së artistëve të famshëm e atyre jo të famshëm”, tha Fani Zguro, kurator.

Gjate 22 viteve të rrugëtimit të tij, “Onufri” është shfaqur si një platformë shprehjeje e talenteve të reja.

“Guri Bulari është një artist 70 vjeç, por është i panjohur. Edhe në këtë moshë, kur je i panjohur, quhesh artist emergjent. Më pëlqen, sepse është si Marcel Duchamp, artist i cili ka ndenjur në heshtje 25 vite, e pas 25 viteve u zgjua dhe ka promovuar veten. Është histori e njëjtë, ndonëse njëri në Pensilvani e tjetri në Lin të Pogradecit”, tha më tej Zguro.

Ekspozita e çelur do të mirëpresë publikun deri në datën 1 shkurt të vitit 2017, për të zgjedhur më pas edhe fituesin e edicionit të 22-të.

Top Channel