Rama me mësuesit: Arsimi mbetet sfidë, por reforma po i jep efektet

14/12/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë pasdite një takim me mësuesit, një takim ky tradicional me rastin e festave të fundvitit.

Në fjalën e tij në këtë takim, Rama është shprehur i vetëdijshëm se arsimi është një sektor që kërkon ende punë, por ka vlerësuar se ndryshimet që kanë nisur janë tashmë të prekshme.

“Jam i vetëdijshëm që kemi shumë për të bërë për të garantuar kushtet që duhet të kemi, sikurse jam i bindur se këto që kemi arritur në këto 3 vite e pak janë të mjaftueshme për të kuptuar se potenciali është i madh dhe se mundësitë për të përmirësuar kushtet për mësuesit dhe nxënësit në shkolla ekzistojnë”, ka thënë Rama.

Kryeministri ka theksuar se, kur erdhi në pushtet aleanca e majtë e gjeti arsimin në një gjendje të rrënuar nga të gjitha aspektet.

“Gjetëm një sistem arsimor të kapur nga fyti nga borxhet, 35 milionë dollarë. Gjetëm 600 shkolla në rrezik shembjeje, 177 mijë nxënës që merrnin mësim nga mësues jashtë profilit, me mbi 1 mijë tekste të kthyer në makthin tuaj dhe të nxënësve dhe në një burim të ardhurash të paligjshme për një grusht njerëzish”, ka thënë Rama, i cili ka folur edhe për transferimet dhe emërimet politike të mësuesve.

“Mësuesit gdhiheshin me frikën e transferimit, vetëm për t’i hapur rrugë punësimit të dikujt tjetër. Nuk them se kjo situatë është përmbysur 100 për qind, por besoj se ju ndani me mua bindjen se sot askush prej jush nuk e ka më këtë ankth”, ka thënë Rama.

Gjithashtu, ka vijuar ai, “sot nuk ndodh më që në shkollë të vijë drejtori dhe të thotë ‘hajdeni të dalim tek sheshi sepse ka ardhur kryeministri’, apo që një politikan të shkojë në një shkollë dhe të flasë për politikë”.

Duke shprehur bindjen se, viti 2018 do të sjellë rezultate edhe më të mira në arsim, Rama ka rikonfirmuar se, “nga 1 marsi rrogat për mësuesit do të rriten me 10 për qind”, një rritje sipas tij “e konsiderueshme por jo e mjaftueshme”.

Gjithashtu, “ne kemi në plan të rindërtojmë tërësisht 108 shkolla që janë në inventarin e nevojave të Ministrisë së Arsimit. Deri në vitin 2020 të mos ketë asnjë shkollë pa standarded më të mira”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar më tej se, sot, si për mësuesit ashtu edhe për nxënësit, ka hyrë në fuqi sistemi i meritës.

“Përmes konkurrencës të caktojmë meritën. Nëse konkurrenca nuk garantohet, sistemi nuk funksionon. Sikundër po mundohemi të edukojmë një brez që nesër do të përballet me vështirësi të mëdha, sikurse përballen të rinjtë në Gjermaninë e zhvilluar dhe në vendet e tjera europianë”, ka thënë Rama.

Top Channel