“Një pjatë supë”

14/12/2016 00:00

Të vetmuar, të papunë, pa ndihmë ekonomike, pa pension. Këta janë personat që shkojnë për çdo ditë në qendrën sociale të Laprakës, ku mes shërbimeve të tjera ofrohet edhe një gjellë e ngrohtë për të mbushur barkun.

Ata kanë mosha të ndryshme, por i bashkon i njëjti hall; s’kanë para as për të ngrënë një copë bukë. Janë banorë të njësisë administrative numër 11, në Laprakë, e njohur si zonë e varfër, shkak pse qendra pozicionohet në këtë lagje.

Haxhire Gjonaj është 53 vjeç. Ka 2 fëmijë nga 1 martesë që dështoi herët, por që i duhet t’ja dalë gjithsesi.

“Jemi pesë vetë në shtëpi dhe nuk na del llogari. Kemi drita, ujë e shpenzime të tjera për të paguar”, rrëfen Haxhireja.

Rita Puka është një tjetër zonjë që ha vaktin e drekës në qendrën sociale “Shtëpi e Përbashkët” në Laprakë.

“Nuk kam asnjë të ardhur. Jam me dy jetimë dhe më jam ndarë me burrin”, thotë ajo.

Kujtimi është 68 vjeç, një jetë e jetuar mes mjerimit, pa shtëpi, pa grua, pa fëmijë, një tjetër fatkeq që s’ka asnjë shpresë, veç një pjate gjelle në mensën sociale të Laprakës.

“Fle jashtë, jam pa pension, pa gjë”, deklaron ai.

Hallet e tyre nuk mbarojnë. Një tjetër 63-vjeçar jeton me gruan dhe fëmijët, i ndarë në dhomë më vete dhe i përjashtuar edhe nga fëmijët.
 
“S’ka bukë për mua në shtëpi. Ushqehem këtu e ku të dalë”, thotë ai.

Por ka edhe gjyshër që vijnë në këtë qendër sociale për të kaluar kohën mes miqsh duke luajtur domino.
 
“Jemi një grup shokësh dhe më tepër njihemi me njëri-tjetrin. Vijmë dhe luajmë këtu”, thotë një i moshuar.

Por, për të ngrënë 2 pjata gjellë dhe një frut, apo ëmbëlsirë në mensën sociale të Laprakës, 1 nga 3 të tilla të krijuara nga Bashkia e Tiranës për të ndihmuar të pamundurit, duhet të plotësosh disa kushte, kritere që verifikohen në terren nga 4 operatorë socialë të qendrës.

“Nuk ka target grupe, janë të të gjitha moshave, nga mosha 3 deri në 80 vjeç. Pjesa më e madhe e personave që ushqehen këtu plotësojnë kriterin ekonomik. Kemi kërkesa përditë dhe shpresojmë që të rritet numri i përfituesve e të bëhet 200”, thotë operatorja sociale, Shpresa Mulaj.

Top Channel