Meta: Në zgjedhjet e ardhshme, me lista të hapura

13/12/2016 00:00

LSI i ka të qarta kërkesat për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, kur pritet që puna e komisionit të posacëm të reformës zgjedhore të zgjatet edhe me 60 ditë.

Kërkesën për lista të hapura e ka përforcuar vetë kryetari Ilir Meta, në apelin drejtuar forcave politike për të bërë pjesë të listave zgjedhore sa më shumë akademikë dhe pedagogë.

“Do dëshiroja që të gjitha forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017 të gjejnë forcën dhe mundësinë për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë e pedagogë. Pra, që fuqia e mendimit të tyre të mos vijë thjesht përmes ekpsertizës, përmes këshillave, apo edhe përmes këtij bashkëpunimi që ne po firmosim sot e që do të mbetet për një kohë të gjatë, por të vijë edhe përmes një pjesëmarrjeje më aktive në vendimmarrje pasi vendi, Kuvendi ka nevojë për këtë gjë. Vendi ka nevojë për përfaqësim më cilësor në të gjithë politikëbërjen dhe në të gjithë forcat politike pa asnjë përjashtim”, ka deklaruar Meta.

Për Metën, Kuvendi ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë së përfaqësimit të drejtëpërdrejtë. LSI nuk tërhiqet nga kërkesa për lista të hapura, pavarësisht faktit se socialistët dhe demokratët dolën kundër.

Kjo dhe të tjera propozime të kësaj partie do të vazhdojë të jenë pjesë e punës së komisionit, për të cilat LSI kërkon konsesus të gjerë, ka shtuar Meta.

Top Channel