Shqiptarë e grekë së bashku

11/12/2016 00:00

Pas një shëtitjeje në Gjirokastër, Sarandë dhe Elbasan, “Një gur gabim” është vënë për të dytën fundjavë radhazi në skenën e Teatrit Eksperimental. Bashkëpunimi i teatrit shqiptar me atë të Athinës sjell dramën e marrëdhënieve nënë e bijë dhe konfliktet mes dy brezave.

“Guri gabim është diçka që mund t’i ndodhë çdokujt pa e kuptuar se kur nis e rritet e kur kthehet në një problem. Në shfaqje shihet se si zhvillohet marrëdhënia e jetës së një nënë dhe një bije dhe se si brenda jetës së kësaj nëne ky gur gabim kthehet në një makth të vërtetë. Zgjidhje brenda shfaqjes nuk gjejmë sepse nga ky gur i vënë gabim, prishet ekuilibri dhe hapen plagë që ndoshta nuk mbyllen dot kurrë”, tha regjisori Theodhoros Grampsas.

Në një kohe kur mes Shqipërisë e Greqisë shkëmbehen replika me sfond nacionalist, gjuhen e përbashkët regjisori grek duket se e ka gjetur në art.

“Marrëdhëniet politike mes dy vendeve në këtë moment nuk janë shumë të mira, por mund të them se kjo gjë ndodh vetëm politikisht. Njerëzit përpiqen të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre dhe, si për grekët ashtu edhe për shqiptarët, statusi që kanë këto dy marrëdhënie njerëzore është shumë i mirë. Sigurisht që arti udhëheq politikën, ndaj është shumë e rëndësishme që të kujdesemi që edhe marrëdhëniet politike të jenë shumë të mira”, vijoi Grampsas.

“Një gur gabim” do të presë spektatorët e fundit nga e enjtja në të diele në Teatrin Eksperimental. Aktorët, shqiptarë e grekë, interpretojnë së bashku në të dyja gjuhët një dramë njerëzore e cila ndodh pavarësisht etnisë.

Drama është shfaqur edhe në teatrot greke në të dyja gjuhët dhe është mirëpritur.

Top Channel