Ngjarjet në Korçë e Fier, KSHH: Në 2 rastet nuk u zbatua ligji

06/12/2016 00:00

Ndërsa ka nisur hetimi për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së një dite më parë në Korçë, Komiteti Shqiptar i Helsinikit ka deklaruar se gjykata nuk ka zbatuar nenin 5 të ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhënie familjare”.

Veç të tjerave, në reagimin e KSHH thuhet se gjykata brenda 24 orëve pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes i dërgon një kopje edhe komisariatit të policisë në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm të cënuarit.

KSHH vëren se është shkelur gjithashtu neni 7 i ligjit “Për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjyqësor”.

Ndërsa në rastin e Fierit, pavarësisht se zonja kishte urdhër mbrojtje, nuk është përdorur mbikëqyrja elektronike qoftë edhe pa pëlqimin e dhunuesit, pasi referuar provave duhej vlerësuar si person me rrezikshmëri të lartë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit e vë theksin te zbatimi rigoroz i ligjeve dhe i vendimeve të Këshillit të Ministrave, pasi falë tyre dhuna do të parandalohej.

Top Channel