Dërgohen drejt Francës 160 tonë përbërës napalmi

06/12/2016 00:00

160 tonë përbërës napalmi janë nisur drejt Francës për t’u shkatërruar, si pjesë e projektit të OSBE-së. Ceremonia u zhvillua në portin e Durrësit, ku u shënua dhe fundi i projektit të përbashkët me Ministrinë e Mbrojtjes, për shkatërrimin e kimikateve të rrezikshme ushtarake.

Në fazën e fundit të projektit, do të dërgohen për shkatërrim në Francë rreth 160 tonë pluhur mpikës dhe ksilenol, që kur përzihen japin napalmin, që ndodhen tani të paketuara në mënyrë të sigurt në portin e Durrësit, gati për t’u transportuar.

Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur procesin e çmilitarizimit në Shqipëri që prej vitit 2008, kur filloi shkatërrimi i municioneve të tepërta dhe lëndëve kimike të rrezikshme. Në maj 2015, Prezenca ndihmoi në shkatërrimin 116 tonëve kimikatesh të rrezikshme. Më parë, ajo kishte ndihmuar në shkatërrimin e 60 tonëve melanzh, një përbërës toksik i karburantit të raketave, dhe të 120 tonëve diklorometan. Po ashtu, Prezenca ka ofruar pajisje për shkatërrimin e municioneve të tepërta.

“Teksa vlerësojmë punën që po bëhet nga shumë aktorë në rajon për asgjësimin e sigurt të municioneve të vjetra ushtarake, gjithashtu nxisim që modeli i çmilitarizimit i Shqipërisë të shtrihet edhe në rajon, jo vetëm për ta bërë rajonin më të sigurt, por edhe për të shfrytëzuar sa më mirë infrastrukturën ekzistuese dhe përvojën e fuqisë punëtore”, është shprehur ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borschardt.

Top Channel