Përurohet në Kavajë qendra “One Stop”

02/12/2016 00:00

Në qytetin e Kavajës u hap qendra e parë e shërbimeve publike me një ndalesë, e cila do të ofrojë mbi 200 shërbime të ndryshme publike për qytetarët, duke synuar shmangien e radhëve të gjata, aferat korruptive dhe zgjidhjen e një problematike të hershme përmes një shërbimi më të shpejtë dhe efikas.

Milena Harito, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, tha: “Kjo reformë e shërbimeve publike po rregullon në radhë të parë shërbimin ndaj qytetarit. Qytetari është si klienti që gjithmonë ka të drejtë”.

Edhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi vlerësoi shmangien e sorrollatjes së qytetarëve nëpër zyra të institucioneve të ndryshme: “Është një nga zyrat që bën që qytetarët e Kavajës të mos shkojnë më dhe të mbajnë radhë nëpër institucione”.

Në këtë qendër ndodhen sportelet e Gjendjes Civile, Zyrës së Pasurive të Paluajtshme, Sigurimeve Shoqërore dhe atyre të Kujdesit Shëndetësor, si dhe të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Që në ditët e para të hapjes kjo qendër ka pritur 150 aplikime në ditë.

Top Channel