Dita botërore e AIDS, në Shqipëri 120 raste të reja

01/12/2016 00:00

Zyrtarisht në Shqipëri regjistrohen 984 persona të infektuar me HIV/AIDS, por dyshohet se kjo shifër është edhe më e lartë, deri në mbi 1400 të prekur. Për herë të parë, sivjet është diagnostikuar asnjë fëmijë që ka lindur me HIV/AIDS për shkak të transmetimit nga nëna te fëmija.

“Kemi 100 raste të reja. Gjinia mashkullore më e prekur dhe më zbuluar”, bëri të ditur Klodjan Rrjepaj, zv. Ministër i Shëndetësisë.

Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura janë shkaktari kryesor i transmetimit të virusit. 90% janë infektuar në këtë mënyrë. Por problematike mbeten edhe shiringat, mes përdoruesve të drogave me injektim, që në total arrin në 6500 persona. Theksohet se Shqipëria nuk ka një epidemi ndërmjet grupeve të riskut.

“Në qendrën tonë janë 2 persona me HIV. Kemi nisur fushatën për të bërë teste, por është e vështirë nuk pranojnë”, thotë Genci Muçollari, drejtor i Qendrës Aksion Plus.

Në ditën botërore të luftës kundër HIV, zv.ministri i Shëndetësisë theksoi rëndësinë e hapjes së 14 qendrave të këshillit dhe testimit vullnetar në të gjithë vendin, si një formë parandaluese.

Ndërsa sa i takon barnave, do të vazhdojnë të ofrohen nga ministria e Shëndetësisë. Për ata që shfaqin rezistencë, do të jetë fondi global ai që do të ofrojë ndihmë për mjekim dhe për testin e rezistencës.

Top Channel