Muzeu nëntokësor “Bunkart 2”, destinacion turistik për të njohur diktaturën

30/11/2016 00:00

Ndonëse temperaturat në këtë fund nëntori janë ulur ndjeshëm, ky fakt nuk i ka penguar aspak qytetarët nga Shqipëria, por jo vetëm, të vizitojnë “Bunkart 2”, një destinacion që më shumë sesa politik, po kthehet së fundmi në turistik.

“Bunkart 2” pranë Ministrisë së Brendshme zë një sipërfaqje prej 1.000 metrash katrorë dhe përbëhet nga 40 dhoma, të cilat prezantojnë historinë nga viti 1912 deri në 1991-shin përmes fakteve të marra nga Arkiva e Shtetit dhe Ministria e Brendshme.

Nga dhoma në dhomë, historia shpaloset që me krijimin e Xhandarmërisë së parë, Xhandarmërinë e Mbretërisë zogiste, Policinë Popullore, për të vijuar me kampet me telat me gjemba, e deri te burgjet, internimet dhe dëbimet.

Një dhomë më vete i dedikohet edhe mënyrës sesi përgjoheshin të huajt, që ndodheshin në vendin tonë gjatë periudhës së dikaturës.

Kureshtarë për të parë nga afër këtë muze, qytetarët vizitojnë ndërtesën e nëndheshme në qendër të Tiranës, qofshin apo jo të lidhur me kujtimet e diktaturës. Ka prej tyre që vijnë edhe nga përtej kufijve.

Që prej çeljes së tij, “Bunkart 2” mirëpret çdo ditë rreth 500 vizitorë.

Top Channel