Pavarësia, simbolet e para 104 viteve ekspozohen në Tiranë. Parlamenti hap dyert

28/11/2016 00:00

Një flamur kuqezi ruhet me fanatizëm nga familja Sala që prej 97 vitesh. Këtë të hënë, bashkë me objekte të tjera të kohës së pavarësisë, janë prezantuar në Muzeun Historik Kombëtar së bashku me historinë e tij.

“Ky është një flamur që vjen nga familja Sala. Është i qendisur nga bashkëshortja e Sali Salës, një patriot i njohur nga qyteti i Korçës. Kur erdhi nga Amerika në vitin 1919, ai ideoi këtë flamur, të cilin ia qendisi e shoqja. Ne e kemi ruajtur prej vitesh në familjen tonë. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja, që nisën të grumbulloheshin flamuj në të gjitha krahinat e Shqipërisë”, tha Shpëtim Sala, koleksionist.

Krahas flamujve, për publikun prezantohen edhe objekte origjinale të kohës, si shtypi periodik apo pena e Ismail Qemalit, me të cilën u nënshkrua Akti i Pavarësisë. Shpëtim Sala thotë se është i nevojshëm restaurimi i tyre, pasi kanë kaluar rreth 104 vite që nga koha kur janë përdorur për herë të parë.

“Krahas shumë objekteve të tjera, ne kemi ruajtur edhe këtë flamur. Nga gjyshi trashëgojmë edhe libra e dokumente të tjera. E kemi trajtuar me shumë kujdes. Ndoshta ka nevojë për një restaurim të vogël, por do ta realizojmë në të ardhmen”, tha më tej Shpëtim Sala.

* Parlamenti i Shqipërisë ka hapur dyert këtë 28 Nëntor për të gjithë kureshtarët, të cilët duan të shohin ambientet e sallës ku merren vendimet më të rëndësishme e që ata e ndjekin drejtpërdrejt çdo të enjte.

Parlamenti do të jetë i hapur edhe në datën 29 Nëntor gjatë pasdites, nga ora 17:00 deri më 21:00.

Top Channel