Pjesë e projektit të Rilindjes Urbane ka qënë edhe Shijaku, i cili tashmë ka një qendër të re, ndërsa investimet do të vazhdojnë edhe me 9 projekte të tjera për parkun e ri të qytetit, pedonalen apo unazën e vogël.

Kryebashkiaku Ardian Kokomani shoqëroi kryeministrin Edi Rama në sheshin qendror, ndërsa e njohu edhe me projektet e reja për rivitalizimin e qytetit. 

“Gjithë qytetin e Shijakut e kemi kthyer në kantier, për të rehabilituar gjithë hapësirat ndërmjet pallateve. Të gjitha këto hapësira do kthehen në rekreacion për gjithë grupmoshat, stola, parqe, kënd lojërash për fëmijë. Kjo pjesë kur kemi qenë në fushatë elektorale ka qenë vetëm ferra”, deklaroi Ardian Kokomani, kryetar i Bashkisë së Shijakut.

Nga Shijaku, edhe një herë kreu i Qeverisë ftoi fermerët të përfitojnë nga Fondi i Garancisë Kombëtare për nxitjen e prodhimit bujqësor, ndërsa i njohu ata me nismat për zhvillimin e fshatit dhe bujqësisë, duke nisur nga pronësia mbi tokën.

“Në 25 vjet nga dalja e ligjit, jo vetëm që nuk u shpërndanë titujt e pronësisë, por përkundrazi, situata vetëm u ngatërrua. Ne kemi ndërmarrë një operacion masiv në gjithë territorin dhe me bashkitë e reja kemi filluar procesin e dhënies së pronësisë bazuar në ligjin 7501. Qysh prej vitit 1991, kanalet vaditës e kullues u lanë në mëshirë të fatit. Në këtë aspekt me bashkitë po bëhet një punë e madhe dhe  do vazhdojmë me këtë operacion deri kur të mos mbetet asnjë metër katror tokë bujqësore e pa ujitur apo e pa garantuar për kullimin. Është njëkohësisht dhe paketa më e madhe financiare që një qeveri ka vënë në dispozicion të ujit në parcelë qysh nga viti 1991”, tha Rama.
 
Kryeministri i garantoi fermerët se shteti do të jetë garanti i kredisë me interesa të favorshme.

Top Channel