Eksplozivi në Fushë Krujë, arrestohen 3 autorët e dyshuar

16/11/2016 00:00

Pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së martës në Fushë Krujë, ku shpërtheu një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Volkswagen Passat, Policia e Krujës ka bërë të mundur arrestimin e 3 personave të dyshuar si autorë të veprave penale “shkatërrim i pronës me eksploziv” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Specialistët e krimeve të Komisariatit të Policisë së Krujës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, identifikuan dhe ndaluan autorët Skënder Vathi, 49 vjeç, Erges Duka, 23 vjeç, që të dy banues në Fushë Krujë, si dhe Erjon Tema, 19 vjeç, banues në Krujë.

Të tre këta shtetas, pasditen e djeshme rreth orës 17:45, vendosën një sasi lënde plasëse në automjetin me targa AA 545 LS në pronësi të shtetasit S.T., 48 vjeç, të parkuar pranë biznesit të tij të rrobaqepësisë, në lagjen “Punëtori” të Fushë Krujës.

Nga shpërthimi janë shënuar vetëm dëme materiale, si thyerja e xhamit të përparmë të automjetit, xhamave të rrobaqepësisë, si dhe janë dëmtuar 5 automjete të tjera të parkuara pranë vendngjarjes.

Shtetasit e ndaluar janë persona me precedentë penalë të mëparshëm, në fushën e veprave kundër jetës dhe pronës. Materialet për procedurën e mëtejshme i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Top Channel