Rama inspekton një sërë projektesh në Mirditë

15/11/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama është ndalur në Mirditë ku ka inspektuar nga afër një sërë projektesh të Qeverisë në këtë zonë. Dalja e lumit Fan i Vogël ka qenë një ndër problemet më shqetësuese, por pas një investimi prej 33 milionë lekë u ndërtua mbrojtja lumore, e përbërë nga argjinatura prej 3.35 kilometrash.

Për kryetarin e Bashkisë, Ndrec Dedaj, ky investimin ishte shumë i rëndësishëm jo vetëm për banorët e Oroshit e Rrëshenit, por edhe si një investim që mbron edhe autostradën nga gërryerja e ujërave.

E duke u ndalur tek autostrada dhe problemet në qarkullim, kreu i Qeverisë, i shoqeruar dhe nga kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, u ndalën në segmentin Rrëshen-Kalimash, ku janë konstatuar çarje masive të malit.

“Matjet që bënë specialistët e shërbimit gjeologjik, ishte shumë e thellë rrëshqitja këtu, por më e thellë ishte ajo në fshatin Klos. Parashikohet të çahet i gjithë mali. Është larguar 60 centimetra”, deklaroi kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi.
 
“Kjo do jetë ndërhyrja e parë që do bëhet për ta sistemuar në mënyrë që mos thellohet kjo çarje dhe mos ketë pasojë të tmerrshme për gjithë projektin. Kështu është, janë bërë pa studime gjeologjiket ë mirëfillta, pa ndjekur gjithë procesin teknik, ashtu si duhet, pas berihait, po sidoqoftë besoj se do jetë shumë shpejt e stabilizuar kjo pjesë e ndërkohë do fillojë punë për përfundimin e për mirëmbajtjen në vazhdimësi gjatë gjithë viteve, që mos ketë asnjë problem”, u shpreh Kryeministri Rama.

Edhe Mirdita nuk ka mbetur pas përsa i përket Rilindjes Urbane. Rikualifikimi urban i sheshit të Rrëshen është një investim me vlerë 187 milion lekë që do të ndryshojë pamjen e qendrës së këtij qyteti.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Ndrec Dedaj panë ecurinë e punimeve për sheshin, shkollën e mesme, pedonalen dhe disa rrugë të rëndësishme për qytetin.

Një nga këto rrugë dhe ndoshta më kryesorja është ajo hyrëse për në qytet, një investim ky me vlerë prej 149 milion lekësh, i cili synon që në një periudhë të shkurtër kohe të sistemojë infrastrukturën e rrënuar të kësaj rruge.

Top Channel