Marrëveshje rajonale për përmbytjet

15/11/2016 00:00

Institutet Hidro-meteorologjikë të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës nënshkruan në Prizren një Memorandum për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale, në mënyrë që  qytetarët të paralajmërohen në kohë për rrezikun e përmbytjeve.

Gjatë nënshkrimit, Gerrit Bodenbender, drejtor i  projektit të mbështetur nga qeveria gjermane tha se situata e javes se kaluar tregon se kjo marrëveshje është një garanci që herën tjetër që do të ndodhin përmbytjet, njerëzit do të lajmerohen në kohë dhe për rrjedhojë dëmet ekonomike dhe sociale do të jenë më të vogla.

“Këtu kemi ardhur të prezantojmë një pajisje që e kemi marrë donacion nga GIZ gjerman, është jnë pajisje shumë e re që në të njëjtën kohë llogarit shpejtësinë, thellësinë dhe prurjen e këtij lumi”, tha Hasan Hasani, Instituti Hidrometeotologjik të Kosovës.

“Rëndësia e matjeve dhe e këtij proejkti është shumë e madhe sepse na lejon ne që të parashikojmë në kohë prurje të mëdha që vijnë nga pjesët e sipërme të baesnit. Kemi kohën e domosdoshme për të lajmëruar popullatën në Shqipëri në lidhje me përmbytjen e mundshme që mund të vijë nga lumi Drin e më pas nga lumi Buna”, u shpreh Klodian Zaimi, hidrolog  IGJEUM-i, Shqipëri.

Ky projekt mundëson shkëmbimin në kohë reale  të të dhënave, i cili  kombinuar me harta të detajuara të zonave që rrezikohen nga përmbytjet do të ndihmojnë në krijimin e një modeli parashikues që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mali të Zi.

Top Channel