Kreu i KQZ-së: Nuk ka kohë për ndryshime të mëdha

15/11/2016 19:35

Për propozimet e partive të mëdha për reformën zgjedhore, kryetari i ri i KQZ-së, Denar Biba, përgjigjet shumë shkurt: “Nuk ka kohë”.

Socialistët kërkojnë votimin e emigrantëve, demokratët votim elektronik dhe LSI-ja listat e hapura. Denar Biba thotë se nuk do të hyjë në komente politike për këto kërkesa dhe se në këtë moment nuk mund të bëhen ndryshime të mëdha.

“Mbetet pak a shumë të ndodhë ajo çka pritet, të bëhet ndryshim në respekt të atyre rekomandimeve që ka propozuar OSBE/ODHIR në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2015. Disa prej kërkesave janë politike, për shembull listat e hapura. Është tipikisht një zgjedhje politike. Ne kemi një ligj të mirë, si në raportin e 2013 edhe në 2015, OSBE/ODHIR e ka thënë shprehimisht, që legjislacioni shqiptar mbi zgjedhjet siguron zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dyshoj se do kemi kohë për ndryshime të karakterit makro. Besoj se do të ketë vetëm ndryshime në mikro”, deklaroi Biba.

Për Denar Bibën, disa propozime janë të domosdoshme: “Një nga problemet më të mëdha në procesin zgjedhor është faktori human. Ajo që i ka bërë të tejzgjatura proceset e numërimit etj., kanë qenë njerëzore, të ndikuara nga militantizmi i tepruar i komisionerëve. Depolitizimi do ishte i mirëpritur dhe e mbështes”.

Top Channel