Frrokun e njohën policët. Oficerët që e hetuan në Belgjikë e identifikojnë në Tiranë

15/11/2016 00:00

Nën masa të rrepta sigurie, dy oficerë të Policisë Gjyqësore belge dëshmuan në Gjykatën e Tiranës ndaj ish-deputetit Mark Frroku, i akuzuar për vrasjen e shtetasit shqiptar Aleksandër Kurti në vitin 1999, në Belgjikë.

Me argumentimin e garantimit të sigurisë fizike të dëshmitarëve, procesi u zhvillua me dyer të mbyllura, vetëm me prokurorët, avokatët dhe vetë të pandehurin, duke nxjerrë jashtë salle edhe avokaten belge të Frrokut, Karin Koklet. Për gati 5 orë, dy oficerët belgë, Josef Van Oberden dhe Stiven Van Deneste, mësohet se u kanë qëndruar bensikë veprimeve dhe konkluzioneve të tyre, sipas të cilave, Mark Frroku është i njëjti person që në Belgjikë njihej edhe me emrat Besnik Morina, Dritan Frroku dhe Piro Soprani dhe që është i implikuar në këtë dosje për vrasjen e Aleksandër Kurtit.

Mësohet gjithashtu se oficerët belgë kanë qenë të rezervuar sa i takon provave apo dëshmive që i kanë çuar tek Mark Frroku për këtë vrasje. Kemi prova dhe dëshmi anonime, mësohet të jenë shprehur ata, dhe për shkak se çështja vazhdon paralelisht edhe në Belgjikë, kanë qenë të rezervuar të bënin me dije se nga i kanë përfituar këto prova.

Sa i takon motivit, mësohet se oficerët belgë i kanë qëndruar versionit që i ndjeri Aleksandër Kurti kishte rënë në dashuri me një vajzë shqiptare që shfrytëzohej nga Frroku dhe të tjerë shqiptarë për prostitucion. Pikërisht kjo lidhje dashurie dhe kërkesa për ta tërhequr vajzën nga prostituimi, kanë qenë shkak i konfliktit me pasojë vrasjen e Kurtit.

Tanimë pritet vlerësimi që gjykata shqiptare do t’i bëjë dëshmisë së dy oficerëve belgë, të cilët janë të parët në disa dhjetra dëshmitarë që kanë dëshmuar kundër Frrokut.

Top Channel