Antibiotikët kthehen në problem

15/11/2016 00:00

Shqipëria mbetet ndër vendet me përdorim të lartë të antibiotikëve, ndërkohë që në botë bëhet apel  për të  luftuar  antibiotiko-rezistencën e bakterieve.

Por mjekët shqiptarë i bien shkurt duke e përshkruar në receta antibiotikë edhe kur pacienti është prekur nga gripi apo shpesh dhe farmacisti të sugjeon antibiotik  duke e dhënë atë pa recetë ndonëse është ndaluar me ligj

“Mjeku përpara se të japë një antibiotik duhet të mendohet, duhet ta testojë pacientin nëse ai ka infeksion bakterial për të cilin është i nevojshëm antibiotiku, apo ka një infeksion viral që nuk trajtohet me antibiotik. Shpeshherë mjekët i bien shkurt. Zgjedhin një antibiotik me gamë të gjerë veprimi dhe e përdorin atë për një kohë të pacaktuar”, thotë Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive.

Sipas Binos ka disa baktere të cilët kanë fituar rezistencë ndaj antibiotikëve  të cilët vite më parë kanë shkaktuar edhe vdekjen  e pacientit  për shkak të infeksionit që ka marrë në plagë pas një operacioni që mund  të ketë bërë.

“Ne kemi gjetur infeksione, sidomos stafilokoku medicilino-rezistent, apo edhe bakterie të tjera që është gjetur që janë rezistente ndaj antibiotikëve. Ajo që ne po vëmë re, sidomos në QSUT, si pasojë e sterilizimit më të mirë dhe të kujdesshëm është një ulje e infeksioneve të plagëve pas operacioneve”, tha Bino.

Lufta e mjekëve ndaj bakterieve vështirë se mund të fitohet  pasi rezistenca është e pashmangshme.Por mjekët duhet të  kujdesen  të mos ta thellojnë atë, thekson  shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP.

Top Channel