Aksion kunder armëve pa leje, Tahiri: Policia do shkojë në çdo shtëpi

15/11/2016 00:00

Ende 19 vjet pas armatosjes masive të popullatës në ngjarjet e vitit 1997, armët ilegale vijojnë të jenë një problem sa i takon kriminalitetit dhe pasojave që sjellin.

Për këtë arsye, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri lajmëroi rinisjen e aksionit për mbledhjen e armëve pa leje. Pas fushatës ndërgjegjësuese, Ministria e brendshme do të prezantojë edhe nismën e re që do t’i hapë rrugë dorëzimit të armëve.

“Ne do nisim një fushatë të gjerë në Shqipëri, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo shtëpi për mbledhjen e armëve pa leje. Shqipëria ka kaluar disa të tilla, pra fushata për mbledhjen e armëve pa leje, por unë e shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje çdo qytetari të braktisë armën. Punonjësit e policisë do shkojnë në çdo shtëpi në të gjithë Shqipërinë, për të komunikuar me të gjithë qytetarët, për t’i bërë dhe njëherë me dije rrezikun e madh që vjen nga armët dhe për të krijuar shtegun ligjor që të braktisen, të dorëzohen armët e paligjshme që sot kanë në dorë qytetarët”, tha Tahiri.

Në vitin 1997 u miratua një ligj që amnistonte personat që dorëzonin vetë armët. Në atë kohë u mblodhën mijëra armë luftarake, por shumë më pak sesa dolën nga depot e ushtrisë.

Në prezantimin e fushatës së financuar nga Bashkimi Europian, ku ishin të pranishëm edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare, ministri i Brendshëm kritikoi edhe videoklipet e këngetarëve ku promovohet dhunë.

“Ju jeni përdorues intensiv të të drejtave sociale. Edhe mua më ka rënë në sy sesi të rinj apo të reja, shpesh herë artistë, akoma më shpesh këngëtarë, venerohen si model pozitiv edhe kur i shfaqen publikut me një armë në dorë. Në fakt ky është një problem jo i vogël i shoqërisë për sot dhe për gjithçka duam të bëhemi nesër”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Top Channel