Ata flasin të gjithë shqip, sepse, ndonëse jetojnë përtej kufijve, mbeten shqiptarë. Disa të famshëm për ekranin, disa të tjerë jo, por të gjithë janë shumë të suksesshëm në atë që bëjnë. Janë 300 shqiptarë nga arkiva e madhe prej 1.000 fotosh të fotografit Roland Tasho, të cilët prezantohen si asnjëherë më parë në 3 galeri: Galerinë Kombëtare, Muzeun Historik Kombëtar dhe Galerinë COD.

“Kur e fillova si projekt nuk doja të evidentoja njerëzit e ekranit e të kulturës. Ka shumë njerëz të suksesshëm në fusha të ndryshme, në shkencë, mjekësi, letërsi. Ky ishte qëllimi im, të evidentoja këta njerëz. Gjithsesi nuk mund të lija pa marrë Ermonela Jahon, Inva Mulën etj., por këtu duket që ka edhe shumë njerëz të panjohur, por që janë shumë të njohur në fushat e tyre”, tha Roland Tasho, fotograf.

Një ekspozitë e përmasave të tilla vjen në prag të Samitit të Diasporës, një ngjarje që do të mbledhë në Tiranë shqiptarët kudo ku ata ndodhen.

“Duke zhbiruar arkivin shikon se shumë syresh, pra shumë nga këta persona janë kthyer. Gjatë vizitave të mia, unë shikoja që të gjithë këta shqiptarë ishin mirë aty ku ishin, ku jetonin e punonin, por kokën e kishin pas në njëfarë mënyrë, ndaj ndihem mirë kur shikoj që një pjesë janë kthyer”, tha më tej fotografi Tasho.

Ekspozita “Flas shqip” do të qëndrojë e hapur deri në datën 20 Nëntor në të treja galeritë, deri në përfundim të Samitit të Diasporës, i cili do të mbahet në Tiranë më 18-20 Nëntor.

Top Channel