Vritet 28-vjeçarja në Lezhë, qëllohet me armë para parukerisë

11/11/2016 00:00

Një vajzë 28-vjeçare është qëlluar me armë zjarri mëngjesin e së premtes, përpara një parukerie në qytetin e Lezhës, për fat të keq pa mundur t’i mbijetojë plagëve.

Menjëherë drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë, të cilat nga informacionet e mbledhura kanë arritur në përfundimin se shtetasja Etleva Ndoka, nënë e një djali 3-vjeçar, e njihte personin që e qëlloi.

Pas mbledhjes së dëshmive, blutë e Lezhës kanë arritur të identifikojnë autorin, shtetasin Alfred Nikolli, 31 vjeç, i cili është shpallur në kërkim nën akuzat e “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Zyrtarisht deklarohet që vrasja të ketë ndodhur për motive të dobëta, por pritet që hetimet të hedhin dritë mbi detajet e lidhjes mes 28-vjeçares dhe Nikollit.

Etleva Ndoka, e cila ka ndërruar jetë në spital, e kishte marrë me qera dyqanin, të cilin e kishte kthyer në parukeri për të siguruar jetesën për vete dhe djalin e saj të mitur.

Ndërkohë, autori i krimit është arrestuar pasditen e së premtes, pas disa orë hetimesh nga agjentët e drejtorisë lokale të policisë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel