Paragjykimet për Esat Pashën

09/11/2016 00:00

Esat Pashë Toptani është një figurë e rrethuar nga paragjykimi. Dhe të shpjegosh figurën e një ndër personazheve më enigmatikë të historisë shqiptare, nuk është aspak e thjeshtë.

Ilir Ikonomi ka gërmuar në literaturën vendase dhe të huaj, për të punuar rreth këtij personazhi dhe për të shkruar librin “Esat Pashë Toptani; njeriu, lufta, pushteti”.

Në një botë ku Donald Trump do të udhëheqë Amerikën, në Shqipëri ngrihet pikëpyetja e rehabilitimit të Esat Pashë Toptanit, megjithëse sipas autorit qëllimi nuk ka qenë ky.

“Dëshira ime ishte që të flitej jo thjesht për Esat Pashë Toptanit në vetvete, sesa për mënyrën e paraqitjes së tij në libër, që është një mënyrë e ftohtë, e balancuar, transparente”, u shpreh Ilir Ikonomi.

Për Ikonomin, një mënyrë e tillë e të shkruarit është një pasion që ndërthur rrëfimin me faktin.

“Mua më pëlqen ta rrëfej historinë dhe ta rrëfej atë si një film”, tha më tej gazetari e shkrimtari Ilir Ikonomi.

Ikonomit i është dashur të veprojë në një terren të pashkelur, apo të udhëtojë shpesh nga Uashingtoni drejt Shqipërisë.

“Për Esat Pashë Toptanin ka shumë materiale arkivorë, janë shkruar libra, shkrime në shtypin e huaj. E denigrojnë për faktin se donte të bëhej princ i Shqipërisë dhe sundimtar, ose Mbret i Shqipërisë. Por Esati, në fund të fundit e thoshte hapur, nuk e fshihte këtë gjë”, shprehet Ilir Ikonomi.

Ky libër është një sprovë që e shkuara të na shërbejë në formësimin e së ardhmes, por tashmë edhe një punë që Ikonomi po e shndërron në vazhdimësinë e studimit të disa nga figurave më pikante të historisë sonë.

Top Channel