90-vjetori i kompozitorit dhe akademikut Tish Daija është kujtuar në Akademinë e Shkencave përmes një tribune muzikologjike, koncerti me muzikë dhome dhe një ekspozitë me partitura të Daisë.

Kompozitori i baletit shqiptar “Halili e Hajria”, por edhe i shumë e shumë veprave të tjera ka lënë pas një pasuri të vërtetë muzikore, për të cilën duket se kujdeset vetëm familja.

 “Deri tani dorëshkrimet janë të ruajtura nga ana personale, nga familja. Këto këtu janë të gjitha origjinale, nuk janë të dixhitalizuara. Duhet punë shumë e madhe për të krijuar një lloj arkivi jo vetëm per babain tim, por për këtë brez kompozitoresh të cilët kanë shkruar në një kohë kur nuk përdorej kompjuteri, ndaj është detyrë e një brezi tjetër që t’i dixhitalizojnë ato”, shprehet August Daija, djali i kompozitorit Tish Daija.

Kompozimet e Daisë, që nisin rreth viteve ’60, janë dorëshkrime, të cilat për vetë natyrën e kohës përmbajnë edhe gabime teksa janë hedhur në letër. Një korrigjim për të lënë tek brezi i ri vazhdueshmërinë e kësaj muzike do të ishte e nevojshme së bashku me dixhitalizimin e tyre.

“Janë shumë partitura që janë shkruar me gabime, ndaj duhet jo vetëm dixhitalizimi, por edhe redaktimi i tyre”, vë në dukje August Daija.

Për të ruajtur këto vlera muzikore, August Daija e ka një thirrje. “Është bërë një punë shumë e mirë me Marubin. E njëjta gjë duhet bërë edhe me këtë pjese, duhet krijuar Biblioteka Muzikore”, shprehet ai.

Top Channel