Ruajtja e monumenteve të kulturës, çelet masteri i Restaurimit

07/11/2016 00:00

Masteri i Restaurimit është çelur në qytetin e Korçës për 43 të diplomuar në degët e Arkitekturës dhe Inxhinierisë nga i gjithë vendi, duke konkretizuar kështu degën më të re të kualifikimit për një fushë specifike.

Në kohën kur një theks i fortë po vihet tek trashëgimia jonë kulturore dhe domosdoshmëria e ndërhyrjeve restauratore, çelja e këtij programi studimi dhe kualifikimi ka ardhur si një domosdoshmëri për rritjen e kapaciteteve profesionale në vend.

Pas përmbylljes së fazës së aplikimeve, e cila ka zgjatur disa muaj në ditën e parë të zhvillimit të këtij programi, 43 studentë janë ulur në auditorët e universitetit “Fan Noli”.

Falë një partneriteti mes Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Bashkisë e Universitetit të Korçës, si dhe Ministrisë së Kulturës, ky master është përzgjedhur për t’u zhvilluar në qytetin e Korçës, si një prej zonave me pasuri të shumta të trashëgimisë kulturore.

I pranishëm në ceremoninë e çeljes së këtij masteri profesional, zv.kryeministri Niko Peleshi e ka konsideruar si një hap të rëndësishëm çeljen e këtij masteri, për të cilin synohet që të kthehet në një master të nivelit ndërkombëtar.

“Mundëm të fillojmë me sukses një master të domosdoshëm për rininë, Shqipërinë dhe trevat shqiptare rreth nesh, ku ndërhyrja për monumentet e kulturës është e pamjaftueshme. Ky master plotëson tregun tonë të ekspertizës”, deklaroi Peleshi.

Pas ceremonisë së çeljes është zhvilluar edhe një vizitë e studentëve dhe akademikëve në Muzeun e Artit Mesjetar, dëshmi unike e rëndësisë së trashëgimisë sonë kulturore.

Top Channel